Çuli: Audicionet ua lë në dorë regjisorëve

hervin-culi-10-shtator-620x421

Në godinën e Teatrit Kombëtar, përsa i përket infrastrukturës nuk do të ketë ndërhyrje të mëdha, por do të bëhen vetëm arnime. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli shpjegoi risitë e institucionit që ai drejton në këtë sezon. Sfida kryesore gjatë këtyre dy vjetëve është ngrohja e sallës. Ndërsa skena e re e Teatrit Kombëtar do të realizohet në vitin 2017, pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.

Problemet e infrastrukturës në Teatrin Kombëtar 

Çuli tregon dhe një herë problemet e infrastrukturës që ka Teatri Kombëtar dhe masat që do të merren. “Unë kam qenë njeriu, që problemet e infrastrukturës së TK-së i kam bërë prezente, si asnjë drejtues tjetër më parë. Ne jemi vërtet në kushte problematike në godinën e Teatrit Kombëtar”.

Por, sipas tij, kjo situatë nuk e ndalon një regjisor të mirë që të vijë në Shqipëri. “Godina vjen gjithmonë dhe më tepër duke u degraduar, por salla i ruan parametrat ku aktorët mund të interpretojnë. Madje, në kuptimin e akustikës, kemi një sallë të mirë. Kemi një sallë të bukur konvecialisht, pavarësisht se në disa gjëra duhet ndryshuar. Duhet që të rregullojmë ngrohjen. Kjo është një nga sfidat tona kryesore për këta dy vjet”.

Skena e re e TK-së në vitin 2017 

Për zhvendosjen e shumëpërfolur të Teatrit Kombëtar Çuli pohoi se shpresat e zhvendosjes së skenës janë për në vitin 2017. “Kemi pasur dhe një lajmërim nga Ministria e Kulturës, që me shpresë të Zotit, në vitin 2017 skena e re e teatrit është gati. Skena e teatrit do të jetë pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”. Teatri Kombëtar do të zhvendoset aty deri në momentin që të ndërtohet sërisht skena aktuale”.

Ai shton më tej se, do të bëhen disa arnime të vogla, sepse shifra të mëdha parash nuk mund të hedhen. “Ministria ka të drejtë kur thotë se në një godinë, që nuk i reziston dot më kohës nuk mund të hidhen shifra të mëdha parash. Ne do të bëjmë disa arnime, që në fund të fundit Teatri Kombëtar gjatë këtyre dy vjetëve të vazhdojë aktivitetin pa problem. Duam t’i ofrojmë publikut, të paktën kushte normale për të ndjekur shfaqjet”.

Reforma, kontratat e artistëve 

“Për herë të parë vjet të gjithë aktorët e TK-së, nga i pari deri tek i fundit, janë ngjitur në skenën e TK-së. Për herë të parë pas 23 vjetësh ne nuk kemi pasur vjet asnjë aktor të kontraktuar nga Teatri Kombëtar, që nuk ka luajtur në skenë. Kjo ka vendosur vërtet një rrugë shumë pozitive drejt së ardhmes”.

Çuli ndalet edhe te kontratat e këtij viti. Ai shprehet se sapo janë mbyllur kontratat e reja. “Gjërat janë normale dhe aktorët përpiqen që të bëjnë performaca sa më të mira në skenë. Ata nuk mund që të jenë më zgjedhje e regjisorëve. Jam krenar dhe i lumtur të them se “rivaliteti” sot në TK dhe dëshira e aktorëve për të luajtur në skenë është kaq e madhe saqë nuk ka ndodhur më parë.

Nëse dikur kishte aktorë, që refuzonin rolet në institucionet e TK-së, sot jo vetëm që nuk guxon njeri që t’i refuzojë, por aktorët vijnë në zyrën time për të pyetur që në fillim të vitit se ku do të jenë të angazhuar. Ne do të vazhdojmë me këtë qarkullim vlerash. Ka dhe aktorë, që përfitojnë një vit kontratë pastaj dalin nga TK. Ne do të vazhdojmë, siç e ka gjithë bota me sistemin e kontratave të përcaktuara”, vazhdon të thotë drejtori i TK-së.

Kontratat e reja dhe dublimet e shfaqjeve 

“Besoj se do të jenë 3 veta, dy femra dhe një mashkull. Por më duhet dhe pak kohë që t’ua them. Është një ekuilibër që ka kërkesë më të madhe sesa mundësia e Teatrit Kombëtar për të kontraktuar aktorët. Ne vjet kemi kontraktuar 7 aktorë të rinj dhe sërish po ju them se, si asnjëherë në 23 vjet, trupa e TK-së nga 27 veta, dhjetë i ka të rinj. Pra gati një e treta e aktorëve ka ndryshuar.

Është kërkesa e aktrove të rinj, të cilët më bëjnë që të ndihem nën presionin e vazhdueshëm për t’u hapur rrugën, që të jenë pjesë e TK-së”. Sipas Çulit, për këtë arsye këtë vit gama e dublimeve në teatër mund të shtrihet më tej. “Do jenë pothuajse dy stafe në një vepër në TK”. Ai shton se dhe këtë vit ka aktor të larguar nga puna, por nuk dëshiron që të përmend emra.

Audicionet, në dëshirën e regjisorëve 

Ndonëse vitin e kaluar, për shfaqjet që u prezantuan në TK pati audicione, gjatë këtij viti regjisorët do t’i zgjedhin aktorët në mënyrë të pavarur. 

“Audicioni është lënë këtë vit. Vjet unë e vura në mënyrë taksative audicionin dhe për këtë ka pasur keqkuptime. Unë këtë vit kam vendosur që audicioni të jetë pjesë e dëshirave individuale të regjisorit. Ai vjen dhe është i sigurt për rolin, se kujt do t’ia japë. Është ai që vendosë në fund të fundit emrin e tij mbi atë aktor dhe nuk ka pse të bëjë audicion”. Ai shton më tej se, audicione do të ketë për të rinjtë produktivë, por jo për rolet e parë. Sipas tij, për rolet e parë të gjithë regjisorët kanë qenë të prerë, me aktorë të jashtëm apo të brendshëm, në zgjedhjet e tyre.

Ata mund të kenë bërë audicionet e tyre personale, por unë nuk kam pse i detyroj”. Çuli ndali edhe te pjesëmarrja e trupës së aktorëve shqiptarë në Bukuresht. Sipas tij, pjesëmarrja në festivale të kësaj kategorie, siç është Neta, janë të domosdoshme në mbarëvajtjen e artit në Shqipëri. Aktorët e shfaqjes “Udhëtim i gjatë drejt natës” me regji të Spiro Dunit ndanë eksperiencën e tyre me 13 trupa të tjera teatrore në këtë festival.

Repertori 2015-16

Sezoni i ri Sezoni tetor 2015 ­dhjetor 2016 do të sjellë në skenë gjashtë premiera. Pjesët e përzgjedhura janë: “Sonte do të recitohet pa tekst” e Luigi Pirandelos me regji të Driada Dervishit, “Mallkimi i fukarenjve” e Sam Shepard me regji të Kastriot Çipit, “Zbutja e kryeneçes”, Shekspir me regji të Elma Doresit; “Opera për tre grosh” e Vasllav Havel me regji të Mehmet Xhelilit, “Pushteti i grave” përshtatje nga Aristofani me regji të Spiro Dunit si edhe “Tri motrat” nga Anton Çehov me regji të Hervin Çulit.

 

Burimi: Shekulli

 

(Herë të lexuara: 67)

About Armand Plaku

Check Also

A do të thyhej një Hoverboard nga një hedhje prej 30 metër?

Një tjetër Yotuber i quajtur WillitBREAK 2 ka bërë një tjetër eksperiment hedhje, por këtë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *