Dështon aksioni? Rinisin punën evazorët

kuponi

Aksioni antiinformalitet u duk se i dha rezultatet para se të niste. Lajmi se policia e rendit dhe tatimorët do të dynden në çdo cep të vendit i frikësoi bizneset për disa ditë, duke bërë që shumë prej tyre të mbyllnin aktivitetin.

Por kur u pa se përgjatë dy javëve policia e tatimore dhe ajo e rendit nuk kanë mundur të jenë në derën e çdo dyqani, shumë prej aktiviteteve të vogla të biznesit kanë nisur punën në sërish në informalitet.

Nga një vëzhgim i Monitor dje, në zonën e Bllokut në Tiranë është shërbyer normal pa kupon tatimor. Një nga kamerierët pohoi se, aksioni nuk ishte aq i frikshëm sa u tha ndaj dhe puna ka vijuar normalisht.

Pak më tutje një fast-food shërbeu në harkun e 5 minutave mbi 10 porosi pa kupon. Më tej nëpër lagjet e Tiranës, njësitë e tregtisë dhe shërbimeve kanë nisur të hapen me orare më të gjata se javën e fundit pa kasën fiskale.

Shumë prej tyre kanë vendosur të punojnë në të zezë, dhe janë vetorganizuar për të lajmëruar njëri- tjetrin nëse tatimorët zbresin për kontroll.

Ekspertë të vjetër të tatimeve pohojnë se kjo situatë pritej, pasi administrata tatimore nuk mund të përballojë me personel kontrollet në mbi 160 mijë biznese.

Pikërisht kjo është dhe arsyeja që ekspertët nuk rekomandonin përqendrimin tek biznesi i vogël, pasi dhe sipas një studimi të FMN-së, kosto e burimeve njerëzore që duhen për të kontrolluar këto biznese i tejkalon përfitimet në rritjen e të ardhurave.

Situata duket se është normalizuar edhe në rrethe. Bizneset e kanë filluar aktivitetin normalisht pasi i kishin të mbyllura aktivitetet për më shumë se katër ditë.

600 grupet e kontrollit që tashmë janë në terren nuk mund të jenë në të njëjtën kohë në të gjithë qindra mijëra pikat e shitjes së mallrave dhe harbimeve në të gjithë vendin.

Një nga ekonomistët e njohur në vend, Llazi Balliu, tha për Monitor se aksioni antiinformaliet duhet përshëndetur, por dështimi sipas tij është sigurt nëse bëhet me selektivitet.

Ai tha se, përdorimi i kasës edhe për disa kohë në Shqipëri do të jetë joefektiv për vetë ndërgjegjësimin tatimor që kanë bizneset.

Ai tha se edhe për disa kohë tatimet duhet të mblidhen duke i klasifikuar bizneset sipas xhiros, ndërkohë që përdorimi i kasës të lihet fakultative./Monitor

Burimi: Mapo

(Herë të lexuara: 121)

About Armand Plaku

Check Also

A do të thyhej një Hoverboard nga një hedhje prej 30 metër?

Një tjetër Yotuber i quajtur WillitBREAK 2 ka bërë një tjetër eksperiment hedhje, por këtë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *