Penalitete për rryshfetin dhe punësimin në të zezë

edi-rama2-620x348

Rryshfeti mund t’u kushtojë lirinë inspektorëve të kontrolleve në terren, si dhe punëdhënësve që punësojnë në të zezë. Kryeministri Rama e bëri paralajmërimin nga një takim me grupet e interesit, ku diskutoi për luftën kundër informalitetit në shëndetësi.

Si fillim, Rama vlerësoi se gjashtë ditët e para të operacionit kombëtar kundër informalitetit të ekonomisë kanë rezultuar të suksesshme. “Në vetëm 6 ditë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, kuponët kanë shkuar nga 3.9 milionë në 6.2 milionë.

Vlera e tatueshme nga 68 milionë dollarë në 82 milionë dollarë. Pa diskutim, është vetëm simptoma më e parë e një trasformimi organik, që do të na çojë në shifra shumë herë më të pakrahasueshme me njëra-tjetrën”, tha Rama.

Duke kërkuar bashkëpunimin për formalizimin e të gjitha institucioneve shëndetësore, Rama shprehu bindjen se ky aksion do të forcojë rendin ligjor në ekonomi.”Nuk mund të kërkojmë formalizimin e një dyqani fruta-zarzavatesh pa kërkuar formalizimin në shërbimin privat shëndetësor, në shërbimin dentar në Republikën e Shqipërisë.

Nuk është e lehtë për ne, jo për ju, por jam i bindur që është e mundur, prandaj besoj se ky operacion ka si domosdoshmëri komunikimin intensiv me të gjithë aktorët në treg, para se të gjenden përballë ligjit”, theksoi Kryeministri.

Formalizimi i shëndetësisë, sipas Kryeministrit, i shërben edhe rritjes së transparencës ndërmjet pacientit dhe institucionit shëndetësor. “Kjo marrëdhënie shërbimi është edhe ekonomike.

Nëse kuponi tatimor, përdoret gjerësisht në farmacitë e vendit, s’mund ta themi të njëjtën gjë për shërbimet dentare, s’mund ta themi për ekzaminimet laboratorike, apo imazherike”, deklaroi ai, duke shtuar se çmimi i kasave tatimore është ulur.

Ndëshkime penale për inspektorët dhe skllavopronarët 

Sipas shefit të qeverisë, informaliteti nuk është vepër ekskluzive e aktorëve të tregut, por edhe e inspektorëve në terren. Ai paralajmëroi ndëshkime të rënda deri në heqje lirie për ata që fshehin aktivitetin e subjektit për të marrë rryshfet.

“Zinxhiri i informalitetit nuk fillon dhe nuk mbaron vetëm përmes hallkave të një malli që prodhohet, importohet, shpërndahet dhe në fund shitet. Pjesë jetike e këtij zinxhiri janë inspektorët, bashkëpunëtorë aktivë në mbajtjen lidhur të zinxhirit të hajdutërisë.

Për këtë arsye, në paketën ligjore kundër informalitetit, ndëshkimi për të gjithë ata inspektorë që fshehin aktivitetin e subjektit, që kanë për qëllim të kontrollojnë, apo bashkëpunojnë për të njëjtin qëllim, në funksion të marrjes së rryshfetit, do të ndëshkohen me heqje lirie.

Jo kur të kapen me para në dorë, por kur zona e veprimtarisë së tyre të gjendet e kontaminuar nga ky bashkëpunim. Unë mund ta kuptoj që një shitës në një fshat të vogël nuk jep kupon, por nuk mund ta kuptoj këtë gjë në mes të qytetit”, deklaroi Kryeministri.

Gjithashtu, Kreu i qeverisë njoftoi se, në paketën ligjore, e cila pritet të miratohet së shpejti në Parlament, parashikohet heqje lirie për “skllavopronarët”, pra ata që punësojnë në të zezë. Rama paralajmëroi pronarët që mbajnë në punë punonjës të padeklaruar dhe me sigurime të pambuluara.

“Paketa e re ligjore ka vetëm një përcaktim, për çdo rast kur në një kompani apo aktivitet tregtar zbulohet një skllav, një vajzë, një djalë, një burrë, një grua që nuk ekziston, por që si hije punon edhe jashtë orarit për të marrë një copë bukë. Heqje lirie për skllavopronarët”, tha Rama, duke paralajmëruar edhe për këtë kategori heqjen e lirisë.

 

Burimi: Shekulli

 

(Herë të lexuara: 51)

About Armand Plaku

Check Also

A do të thyhej një Hoverboard nga një hedhje prej 30 metër?

Një tjetër Yotuber i quajtur WillitBREAK 2 ka bërë një tjetër eksperiment hedhje, por këtë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *