Legjenda e Rozafes – Kalaja e Rozafes

Kalaja e Rozafatit dhe legjenda e Rozafes
Kalaja e Rozafes

Një alegori e historisë së Shqipërisë

Falë legjendës së saj të paharrueshme, e cila në mënyrë alegorike tregon historinë e Shqipërisë e popullit shqiptar sipas sakrificës së një nëne për fëmijën e saj, Kalaja e Rozafës mbetet një monumentet-simbol tepër i rëndësishëm i vendit. Që prej mureve të lashta ilire e deri tek rrënojat mesjetare të Balshajve apo kullave të Bushatllinjve, ky vend dëshmon bukurinë e pamposhtur të një kalaje e cila është ndërtuar gjatë antikitetit dhe ka mbijetuar gjatë perandorive romake e osmane deri në ditët e sotme. Për të njohur të shkuarën e lavdishme të Shkodrës si edhe disa nga etapat më të rëndësishme të historisë shqiptare, duhet të bëni patjetër një ndalesë në Kalanë e Rozafës. Kjo zonë e pasur arkeologjike mban gjithashtu plot surpriza historike që nuk duhet t’i humbisni!

Legjenda e Rozafatit

Sipas legjendës së dhimbshme, ndërtimi i Kalasë ishte i mallkuar prej perëndive të cilat shembnin çdo natë ndërtimin e çdo dite. Për të lejuar qëndrimin e mureve të kalasë, ato kërkuan një sakrificë e cila padrejtësisht u vendos të ishte Rozafa, nusja më e vogël e shtëpisë. Përpara se të vetësakrifikohej e të murosej e gjallë, Rozafa tregoi heroizmin dhe altruizmin e saj duke kërkuar që gjysma e trupit të saj të mbetej jashtë murit, në mënyrë që të ushqente e të kujdesej për foshnjen e saj. Një skulpturë e bukur e figurës së Rozafës e gdhendur brenda murit të saj gjendet në hyrje të kalasë. Ndërsa kalaja përmendet gjatë sundimit të mbretit ilir Gent, emrin Rozafa e hasim së pari gjatë mesjetës.

Ndërtimi i Rozafatit ka një gojëdhënë të bukur por dhe të hidhur që ka ardhur nga lashtësia deri në ditët tona. Ja ç’thotë kjo gojëdhënë:

I ra mjegulla Bunës dhe e mbuloi të tërë. Kjo mjegull mbeti aty tre ditë e tre netë. Pas tri ditësh e tri netësh fryu një erë e hollë dhe e lartoi mjegullën. E lartoi dhe e shpuri gjer në kodrën e Valdanuzit. Aty majë kodrës punonin tre vëllezër. Ndërtonin një kështjellë. Murin që e bënin ditën u prishej natën dhe kështu nuk e lartonin dot.

Na shkon aty një plak i mirë.
– Puna e mbarë, o tre vëllezër.

– Të mbarë paç o plak i mirë. Po ku e sheh ti të mbarën tonë. 
Ditën punojmë, natën prishet. A di të na thuash një fjalë të mirë? Ç’të bëjmë që të mbajmë muret në këmbë?
– Unë di – u thotë plaku – po e kam për mëkat t’ua them .
– Atë mëkat hidhe mbi kryet tona, se ne duam që ta qëndrojmë më këmbë këtë kështjellë.
Plaku i mirë mendohet e pyet:
– A jeni të martuar o trima ? A i keni ju të tre vashat tuaja?
– Të martuar jemi – i thonë ata – edhe të tre i kemi vashat tona. 
Na thuaj pra ç’të bëjmë që ta qëndrojmë këtë kështjellë ?
– Në doni ta qëndroni, lidhuni me besa besë: vashave mos u rrëfeni, në shtëpi mos kuvendoni për fjalët që do t’u them unë. Atë nga të tri kunatat që do të vijë nesër t’ju sjellë bukën, t’a merrni e t’a muroni të gjallë në mur të kështjellës. Atëherë keni për ta parë se muri do t’u zërë vend e do t’u qëndrojë për jetë e mot.
Tha kështu plaku, pastaj shkoi; tani u pa, pastaj s’u pa.
Vaj ! 
Vëllai i madh e shkeli besën e fjalën: ia tregoi të gjitha vashës së vet kështu e kështu, i tha të mos
vinte atje të nesërmen. Edhe i mesmi e shkeli besën e fjalën: ia tregoi të gjitha vashës së vet. Vetëm i vogli e mbajti besën, fjalën: nuk kuvendoi në shtëpi, nuk i tha gjë vashës së vet.

Në mëngjes ata të tre ngrihen shpejt e shkojnë në punë. Çekanët godasin, gurët coptohen, zemrat rrahin, muret lartohen…
Në shtëpi nëna e djemve s’di gjë. I thotë së madhes:
– Moj nuse e madhe, mjeshtrit duan bukë e ujë; duan kungullin me verë.
Nusja e madhe ia kthen:
– Besa nënë, sot s’mund të shkoj se jam sëmurë.
Kthehet i thotë së mesmes:
– Moj nuse e mesme, mjeshtrit duan bukë e ujë: duan kungullin me verë.
– Besa nënë, sot s’vete, se do shkoj tek fisi për të bujtur.
– Nëna e djemve i kthehet nuses së vogël.
– Moj nuse e vogël…
Nusja e vogël brof në këmbë:
– Urdhëro zonja nënë !
– Mjeshtërit duan bukë e ujë; duan kungullin me verë.
– Besa nënë unë shkoj , po e kam djalin të vogël. Druhem se do gji të pijë e qan.
– Nisu, shko se djalin ta shikojmë ne e s’ta lëmë të qajë, –  i thonë të kunatat.
Ngrihet e vogla, e mira, merr bukë e ujë, merr kungullin me verë, puth djalin e vogël në të dy faqet,
niset e bie në Kazenë; që aty ngjit kodrën e Vladanuzit, i afrohet vendit tek punojnë të tre mjeshtrit: dy të kunetërit dhe i shoqi.
– Puna mbarë, o mjeshtër!
Po ç’është kështu? Çekanët ndalen e s’godasin, po zemrat rrahin fort e fort. Fytyrat zbehen. Kur e sheh i vogli të shoqen, hedh çekanin nga dora, malkon gurin e murin. 
E shoqja i thotë: 
– Ç’ke ti im zot ? Pse mallkon gurin e murin ?
Hidhet kunati i madh:
– Ti paske lindur në ditë të zezë, moj kunata jonë. Ne e kemi bërë me fjalë të t’murojmë të gjallë në mur të kështjellës.
– Shëndoshë ju o tim kunetër. Po unë do t’ju lë një porosi: kur të më muroni në mur, synë e djathë të ma lini jashtë, dorën e djathtë të ma lini jashtë, gjirin e djathtë të ma lini jashtë. Se djalin e kam të vogël. Kur të nisë të qajë – me njërin sy do ta shikoj , me njërën dorë do ta ledhatoj, me njërën këmbë do t’i tund djepin e njërin gji do t’ia jap të pijë. Gjiri im u muroftë, kështjella qëndroftë, djali im u trimëroftë, u bëft mbret e mbretëroftë!
Ata e marrin nusen e vogël dhe e murojnë në themel të kështjellës. Dhe muret ngrihen, lartohen nuk shemben më si më parë. Po rreth tyre gurët janë dhe sot të lagur e të myshtë, sepse vazhdojnë të pikojnë lotët e nënës për birin e saj…
Dhe i biri u rrit, luftoi e trimëroi.

Dëshmitë historike

Brenda mureve të kalasë gjenden tre oborre kryesore, të cilat e bëjnë më të thjeshtë orientimin e turistëve.  Pasi të hyni në barbakan, hyrja kryesore e fortifikuar e shekullit të XV-të, do të gjendeni në oborrin e pare, ku gjendet trakti i murit ilir të shek. të IV-rt para Krishtit, dëshmia më e vjetër e kalasë.  Përgjatë oborrit të parë gjenden dhe rrënojat mesjetare të cisternave, kullave të Balshajve apo banesave veneciane.

Kisha e kthyer në xhami

Në oborrin e dytë, pranë mureve rrethuese në veriperëndim të kalasë, gjenden rrënojat e një objekti i cili meriton vemendje të veçantë. I ndërtuar në stilin romantik, fillimisht ky monument ishte Kisha e Shën Stefanit (shek. XIII-XV) por, gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, objekti u transformua në Xhaminë e Sulltan Mehmet Fatihut (shek. XVI – XIX). Në të njëjtën periudhë, popullsia katolike braktisi kalanë dhe ambjentet e saj u kthyen në një bazë ushtarake. Sot, rrënojat e kishë-xhamisë, që u braktis përfundimisht në vitin 1865, shërbejnë si simbol i pasazheve të mëdha historike që kanë ndodhur në Shqipëri. Në të njëjtin oborr janë edhe rrënojat e burgut otoman, kazerma e depos së municioneve që datojnë rreth shek. XVI – XVII, si dhe depozitat katërkëndëshe të mbuluara me qemer.

Muzeu i Kalasë

Kalaja përfundon në oborrin e tretë, ku spikat një godinë trekatëshe e kohës veneciane, e njohur si “Kapitaneria”, e cila shërbente si rezidencë e sundimtarit venedikas. Në këtë godinë gjendet sot Muzeu i Kalasë së Shkodrës, ku flitet për të shkuarën 4000 vjeçare të kalasë si edhe etapat dhe familjet më të rëndësishme mesjetare të qytetit. Aty shfaqen disa objekte të zbuluara përreth dhe objekte të tjera të kulturës së Komanit dhe Drishtit. Informacionet jepen në shqip, anglisht si edhe në alfabetin braj, për ata që nuk shikojnë.

Pamjet spektakolare

Përgjatë gjithë kalasë, do të mund të shijoni pamje panoramike të Liqenit të Shkodrës, të lumenjve të qytetit si dhe të maleve të shumta që lartohen ngado. Në jugperëndim të kalasë, në oborrin e tretë, shikohet lehtësisht pika e takimit të lumenjve Drin, Kir dhe Buna, që teksa gërshetohen së bashku, dhurojnë pamje mahnitëse me të cilat mund të harxhoni të gjithë baterinë e aparatit fotografik.